Seanca e Thaçit e të tjerëve: Prokuroria deri tani ka nxjerrë 1764 dokumente

Prokuroria e Hagës, në seancën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ka treguar rreth procesit të nxjerrjes së dokumenteve.

“Në lidhje me procesin e nxjerrjes së materialeve, deri tash, Prokuroria i ka dorëzuar 1309 materiale potencialisht shfajësuese, dhe kemi bërë nxjerrjen e materialeve mbështetëse, në gjuhën shqipe dhe angleze. Kemi nxjerrë edhe deklarata nga të akuzuarit. Materialet në bazë të rregullës 102/1, prokuroria ka nxjerrë 1764 dokumente”.

“Duhet marrë parasysh që këto dokumente, kanë probleme teknike. Po kryejmë kontrolle të hollësishme për t’i hequr të gjitha vështirësitë teknike”, theksoi Prokurorja e ZPS-së, Claire Lawson.

Sipas Prokurorisë, këto dokumente do t’i ipen më pas mbrojtjes.

“Prokuroria  vazhdon të plotësojë afatet e caktuara në përputhje me obligimin tonë të nxjerrjes së materialeve në mënyrë të vazhdueshme. Presim që paketën e dytë të materialeve potencialisht shfajësuese, t’ia dorëzojë mbrojtjes menjëherë”.

Lawson ka treguar edhe dy çështje që i ka ngritur ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me llojin dhe burimin e materialit të Prokurorisë.

“Sa i përket llojit të materialit. Prokuroria është përpjekur të japë një përshkrim domethënës të dokumentit. P.sh. nëse materiali është fotografi apo video-incizim, atëherë në përshkrim përmendet kjo. Sa i përket burimit të informacionit, përsëri nuk duhet një urdhër i gjykatës. Fusha që përmban informacionin për burimin e informacionit është qartësisht e shënuar’, ka thënë prokurorja.