Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba i është kundërpërgjigjur kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas deklaratës së janë duke pritur ftesë nga LVV dhe së bashku ta rrëzojnë Qeverinë Hoti.
Deputeti Zyba në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se PDK tash e katër muaj ka një ftesë nga LVV.
“PDK në fillim thoshte që vetëm le ta fillojë dikush mocionin e mosbesimit sepse ne jemi për rrëzimin e kësaj qeverie. Me rastin e fillimit të procedurave të mocionit, përkatësisht para konferencës për media të datës 6 gusht, LV e ka ftuar PDK-në që të mbështesë mocionin dhe të jap kontributin e saj në tekstin e mocionit të mosbesimit. Të njëjtës, PDK nuk iu patën përgjigjur duke e konsideruar atë të pasinqertë. Pra, tashmë ka një ftesë së cilës PDK nuk iu është përgjigjur”, u shpreh Zyba.
Deputeti shtoi tutje se “që nga ajo kohë, kanë kaluar 4 muaj prej fillimit të mbledhjes së nënshkrimeve për mocion dhe ajo refuzon t’i japë nënshkrimet, derisa ndërkohë në disa raste iu vë në shërbim qeverisë së paligjshme”.
Sipas deputetit, PDK tashmë ka ndërruar qëndrim në raport me mocionin.
Ndër të tjera, Zyba pohoi se PDK po kërkon një takim me LVV-në për të arritur një marrëveshje.
“Pra tash mbledhja e 40 nënshkrimeve nuk mjafton që PDK të votojë për rrëzimin e qeverisë, por për këtë ka nevojë për një takim dhe një marrëveshje me LV-në. Ata nuk e kanë seriozisht rrëzimin e kësaj qeverie. Kjo dëshmohet çdo ditë me veprimet e tyre në kuvend e në komisionet parlamentare dhe mbështetet me deklaratat e tyre publike që janë të mangëta në logjikë dhe konsistencë. Kushdo që mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, qoftë sepse vendi ka nevojë për një rilegjitimim të institucioneve, qoftë sepse kjo qeveri është e paaftë, e dëmshme dhe jofunksionale, e trajton mocionin si qëllim e jo si kompromis ose rezultat negociator. Pra e mbështet atë si domosdoshmëri, jo si pazar politik, siç po synon PDK”, theksoi deputeti Zyba.
Ndërkaq, mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë janë deklaruar se do ta mbështesin edhe Aleanca Kosova e Re dhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.
Për rrëzimin e qeverisë duhen 61 vota.