Rreth 2500 vende të reja të punës paralajmërohen nga Ministria e Bujqësisë

Në prani të kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Bujqësisë, Besian Mustafa, është bërë nënshkrimi i kontratave të para të përfituesve të Programit për Zhvillim Rural 2020-21 nga bujqit e Kosovës.

Hoti ka thënë se është bërë punë e madhe për t’i përkrahur ata edhe në kohën e krizës nga pandemia.

“E mira e kësaj është se pavarësisht situatës së vështirë nga pandemia , dëmin që na ka sjellë edhe në buxhetin e shtetit, bujqësia po e merr vëmendjen e plotë dhe mbështetjen e Qeverisë duke subvencionuar bujqësinë”.

Ndërkaq, Mustafa ka thënë se deri në fund të vitit 2021 do të krijohen edhe rreth 2500 vende të reja të punës nga subvencionet që do të jepen nga Ministria e Bujqësisë.

“Falë punës sonë dhe krijimit të kushteve të barabarta për bujqit dhe rritjen e transparencës në ndarjen e këtyre granteve, kemi arritur të përfitojmë edhe 5 milionë euro nga BE për t’iu ndarë grante bujqve tonë dhe për të mundësuar tejkalimin e COVID-19. Së shpejti do të shpallim edhe thirrjen e dytë për aplikim për grante dhe nga programi 2020-2021 presim që të rreth 850 përfitues të granteve në vlerë prej 29 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë që do të krijojë rreth 2500 vende të reja pune. E tëra kjo deri në dhjetor të vitit 2021”.