Një tryezë për të gjetur zgjidhje për presidentin e ri nuk do ta thërrasë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani. E ndonëse ka kohë që e ka paralajmëruar, partitë ende nuk ia ka dalë që t’i mbledhë rreth një tavoline kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Javën e kaluar ai deklaroi se akoma nuk ka një gatishmëri për tryezë në të cilën merr pjesë edhe opozita ose një pjesë e saj.
Por kryeministri Avdullah Hoti, gjatë një takimi virtual me raportuesin për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer, të hënën pati një qëndrim ndryshe.
“Kryeministri Hoti ngriti edhe çështjen e presidentit, ku theksoi gatishmërinë e subjekteve politike për të arritur një zgjidhje, ndërkohë që nënvizoi se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Zyra e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, të hënën ka njoftuar se nuk do të ndërmarrë kurrfarë iniciative për të diskutuar me partitë zgjedhjen e presidentit.
“Presidenti duhet të derivojë nga zgjedhjet e reja dhe Parlamenti i ri, ndërkaq ka paralajmëruar se do të ftojë liderët politikë për të diskutuar për çështjen e pandemisë dhe çështjen e dialogut”, ka thënë Faton Peci, këshilltar i U.D. së presidentes, Vjosa Osmani.
Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së saj se një president i zgjedhur në këto rrethana politike nuk mund të jetë unifikues.
“Një president apo presidente e zgjedhur nga kjo legjislaturë nuk do të mund të përmbushte obligimin kushtetues si president apo presidente unifikuese. Pra duhet fillimisht të kemi legjitimim të institucioneve me anë të zgjedhjeve të reja dhe pastaj të vazhdojmë me procesin e zgjedhjes së presidentit apo të presidentes”, ka deklaruar Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e VV-së.
Deri më tash vetëm AAK-ja ka zyrtarizuar kandidaturën e Ramush Haradinajt për postin e presidentit. Nga PDK-ja kanë thënë se nuk i japin vota një kandidati që nuk është i tyre, kurse president nga subjekti i tyre po kërkon edhe LDK-ja.