Kampioni i botës në boks, Anthony Joshua, ka shkëlqyer të shtunën në mbrëmje duke ruajtur titujt e tij në kategorinë e rëndë në IBF, WBO e WBA me një nokaut në rund të nëntë ndaj bullgarit Kubrat Pulev. Menjëherë, pas fitores Joshua ka komentuar meçin e shumëpritur, atë me Tyson Furyn, kampionin në WBC, në një garë për “kampionin absolut”.
31-vjeçari britanik e rrëzoi dy herë Pulevin në rund të tretë para se ta rrëzonte edhe dy herë në rund të nëntë për të triumfuar.
Kampioni që siguroi fitoren e 24-të nga 25 meçet pas triumfit pyeti audiencën se “Kush dëshiron ta shohë Anthony Joshuan të luftojë me Tyson Furyn më 2021”. Në këtë pyetje ai mori aprovimin e potë të 1000 shikuesve që ishin në Wembley.
32-vjeçari Fury, u kundërpërgjigj menjëherë.
“E dua këtë meç, e dua meç të ardhshëm, do ta nokautoj për tre runde”, ka shkruar ai në Twitter.
Promoteri i Joshuas, Eddie Hearn, ishte po ashtu pro meçit.
“Duke nisur nga nesër, do ta sigurojmë meçin me Tyson Furyn. Do të jetë meçi i vetëm ku kemi fokus. Është meçi më i madh në histori të boksit në Britani”, ka thënë ai.