U.d. e presidentit ka dhënë dy versione të ndryshme lidhur me një kontratë që fondacioni në emër të Willian Walkerit e kishte me Presidencën. Një herë tha se ka skaduar e nuk është vazhduar, pastaj tha se kontrata do të skadojë më vonë. AAK-ja e Ramush Haradinajt thotë se është gabim të ndërpritet puna që Walker e ka bërë deri tash.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka reaguar pasi u.d. e presidentit, Vjosa Osmani, tha se kontrata me fondacionin e William Walkerit ka skaduar dhe nuk është vazhduar. Në një deklaratë për Express, Selmanaj ka thënë se ky është një gabim që nuk është dashur të ndodhë.
“Është një gabim që nuk është dashur me ndodhë. Përveç që është gabim është edhe një porosi jo e mirë, vendimi që me largu William Walkerin prej punës që e ka kryer deri më tani”, ka thënë ai për Express.
Ndërkaq, T7 raportoi dje se një kontratë e tillë mes Presidencës e fondacionit të ambasadorit, nuk është më në fuqi.
Vetë Osmani gjatë një prononcimi për gazetaren e T7 ka thënë se “ka skaduar dhe nuk është më në fuqi kontrata, pra nuk e kemi vazhduar”.
Kabineti i Osmanit i ka thënë Televizionit 7 se kontrata nuk është më në fuqi.
“Kontrata e nënshkruar nuk është vazhduar nga u.d. presidentit, pra ajo kontratë nuk është më në fuqi. Po ashtu, kemi kërkuar qasje në të gjitha raportet e punëve të kryera për kohën sa ajo kontratë ishte në fuqi, por deri tani ato nuk janë gjendur në Presidencë”.
Megjithatë, pas raportimit të T7, ajo ka reaguar duke thënë se kontrata është akoma në fuqi dhe do të skadojë dhe ka kërcënuar me padi mediat që raportuan.
Ajo përmes një shkrimi në “Facebook”, ka sqaruar shfuqizimin e kontratës në mes të Zyrës së Presidentit dhe ambasadorit William Walker.
Edhe pse në një deklaratë për T7, Vjosa Osmani ka thënë se ka skaduar kontrata me fondacionin Walker dhe nuk do ta vazhdojë atë, ajo ka reaguar duke thënë se kontrata nuk ka skaduar akoma.
Osmani ka thënë se kontrata nuk është shkëputur, por do të skadojë në këtë muaj. Sipas saj, Presidenca është njoftuar nga fondacioni se William Walker nuk përfiton asnjë cent nga kjo kontratë.
“E vërteta është se kontrata nuk është shkëputur por skadon këtë muaj”, shkruan Osmani.