Po bëhet afro një muaj që nga dita kur Qeveria e Kosovës ndërmori masat e reja sa i përket situatës së krijuar nga përhapja e virusit SARS CoV-2.
Pavarësisht se numri i rasteve të të infektuarve me koronavirus nuk pati ndonjë ndryshim të madh, masat vazhdojnë të jenë të njëjta.
Qytetarët të cilët jetojnë në komunat me rrezikshmëri të lartë vazhdojnë ta kenë të pamundur lëvizjen pas orës 19:00 deri në ora 05:00, të mëngjesit.
Lidhur me këtë nga Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se do të analizohet edhe trendi i kësaj jave para se të propozohet ndonjë masë e re.
Në përgjigjen e dhënë për lajmi.net u theksua se në bazë të analizës që bëhet sa i përket rasteve të të infektuarve dhe viktimave, propozohen edhe masat e reja apo mbete në fuqi ato që janë.
“Sikur e dini, çdo mase qoftë të marrë nga Qeveria apo Ministria e Shëndetësisë i paraprinë analiza rreth situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, lakorja e rasteve që rezultojnë pozitiv, numri i rasteve të vdekjeve, projeksioni për ditët apo javët e ardhshme dhe karakteristike të tjera. Në bazë të analizës propozohen masa të reja apo mbahen në fuqi ato që janë.Trendi aktual flet për një stabilizim të lakores së rasteve që mundësojnë që situatë të jetë nën kontroll, pa ushtruar në të njëjtën kohë masa shumë restriktive ndaj bizneseve dhe veprimtarive të tjera.Gjithsesi do të analizohet edhe trendi i kësaj jave para se të propozohet ndonjë masë e re”, u tha nga Ministria e Shëndetësisë.
Por nëse këto masa do të ndryshojnë sa i përket fundvitit, apo festave të cilët startojnë disa ditë më vonë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se parashikimet janë që deri në mesin e këtij muaji të vazhdojë një trend afërsisht i njëjtë i rasteve dhe se nuk dihet saktësisht nëse do të largohen masat apo jo.
“Do ta varet krejt nga rrjedha e mëtejme e situatës epidemiologjike. Parashikimet janë që deri ka mesi i muajit, të vazhdojë një trend afërisht i njëjtë i rasteve. Më pastaj, më 18 dhjetor përfundon gjysmë-vjetori i parë i mësimit në shkolla dhe do të shihet si do të reflektoj kjo në numrin e rasteve por edhe segmente të tjera njëkohësisht”, u tha nga MSH.
Të njëjtit konsiderojnë se masat e vendosura së fundi kanë prodhuar disa efekte, në mesin e tyre që spitalet dhe infrastruktura e përgjithshme spitalore të arrijë ta përballojë numrin e atyre që kanë nevojë për tretman, si dhe kanë mundësuar që shumica e veprimtarive të jenë të hapura, duke mos pasur një mbyllje klasike.
“Kanë parandaluar një rritje eksponenciale të rasteve që do të mund të shkonte në mbi 1000 raste në ditë dhe me numër edhe më të lartë të vdekjeve se shifrat e ditëve të fundit.Kanë mundësuar që përkundër fluksit të madh, spitalet dhe infrastruktura spitalore ta përballoj numrin e atyre që kanë nevojë për tretman spitalor”, u tha tutje nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndryshe vendi po vazhdon të përballet me situatën e krijuar nga virusi COVID-19, ku gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar 519 raste të reja ndërsa humbën jetën 14 pacientë.
Deri më sot numri i të prekurve me koronavirus në nivel vendi ka arritur në 43 mijë e 324 raste dhe në 1 mijë e 120 viktima.