Vaksina e Oksfordit tregon 70% mbrojtje ndaj koronavirusit

Vaksina për koronavirus, e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit, parandalon shfaqjen e simptomave të këtij virusi te njerëzit për 70 për qind, kanë treguar të dhënat e një studimi të madh.

Ky lajm përbën triumf dhe zhgënjim, pasi vaksinat e prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe Moderna, tregojnë për 95 për qind mbrojtje, transmeton BBC.

Megjithatë, vaksina e Oksfordit është thënë se do të jetë shumë më e lirë, më e lehtë për t’u ruajtur dhe më lehtë e qasshme në secilin kënd të botës, në krahasim me dy të tjerat.

Nëse miratohet nga rregullatorët, ajo besohet se mund të luajë rol të rëndësishëm në luftimin e pandemisë.

Hulumtuesit e Oksfordit kanë kryer për 10 muaj, testimet për vaksina që zakonisht kryhen për një dekadë.

“Njoftimi i sotëm na çon një hap më afër kohës kur mund të përdorim vaksinat dhe t’i japim fund shkatërrimit të shkaktuar nga virusi”, ka thënë arkitektja e vaksinës, Sarah Gilbert.

Qeveria britanike ka porositur deri më tani 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, të mjaftueshme për të imunizuar 50 milionë banorë.