Gjendet i vdekur një i ri në Prishtinë

Një person rreth 20-vjeç i gjinisë mashkullore është gjetur i vdekur sonte rreth orës 18:00 në rrugën “Skender Matallari”, në Prishtinë. 

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. 

“Rreth orës 18:00 është raportuar për një person të shtrirë në tokë në rrugën “Skender Matallari” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke ftuar aty edhe epikën mjekësore dhe njësitë e tjera të nevojshme policore. Me gjithë përpjekjet, nga  ana e mjekëve në vendngjarje është konstatuar se trupi i shtrirë është pa shenja jete”, tha ai. 

Borovci tha se ky rast është cilësuar si vdekje e dyshimtë, duke shtuar se prokurori i shtetit ka filluar një hetim për rrethanat që lidhen me këtë ngjarje. 

“Në vendngjarje është ftuar edhe prokurori i shtetit. Aktualisht policia rastin është duke e trajtuar si vdekje të dyshimtë dhe ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë ngjarje. Trupi i pajetë është i një mashkulli rreth 20 vjeç dhe policia ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve të ekzaminimit dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, si dhe veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, përfundoi ai.