Avullohen 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, Policia bastis Ministrinë e Financave, Prokuroria nis hetimet

Plotë dy milionë euro janë avulluar nga Ministria e Financave.

Gazeta Objektiv merr vesh se parat janë tërhequr nga Thesari i Shtetit i kësaj ministrie, e të cilat nuk dihet ende se ku kanë përfunduar.

Kjo ka bërë që Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, mbrëmjen e së martës ka ndërmarrë një aksion në këtë ministri, meqë rast ka arrestuar një person, zyrtar i Ministrisë së Financave, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në arrati.

Policia po ashtu ka bastisur edhe shtëpitë e personave të dyshuar për këtë rast.

Aksionin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës, në këtë rast datës 20.10.2020, ka ndërmarrë një operacion policor në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër edhe Prokuroria e Shtetit tashmë ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Zëvendës-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha ka thënë për gazetën Objektiv se rasti është në fazën fillestare.

Por, i njëjti nuk ka pranuar të japë më shumë detaje.

“Jemi në fazën fillestare të hetimeve. Momentalisht nuk mund të japim më shumë detaje sepse e dëmtojmë rastin”, tha shkurtimisht ai.

E, nga Ministria e Financave ende nuk janë deklaruar për një skandal të tillë.

Sipas informacioneve të gazetës Objektiv, Ministria e Financave pritet që gjatë ditës së sotme t’i drejtohet opinionit publik lidhur me këtë rast.