Hoti arsyeton zotimin rreth pauzimit të Kosovës për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë se zotimi i qeverisë së tij që shteti i Kosovës të pauzojë rreth aplikimit për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, nuk do të thotë se nuk është duke u punuar në këtë aspekt.

Hoti tha se gjatë kësaj kohe po punohet që të sigurohet që kur të përfundon “pauza”, aplikimet të mos dështojnë.

“Rreth anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përkatësisht pauzimit për një vit për të aplikuar në organizata ndërkombëtare siç jemi dakorduar në Shtëpinë e Bardhë. Pavarësia e Kosovës, si dhe njohjet ndërkombëtare e anëtarësimi, janë koordinim i ngushtë sistematik me partnerin tonë, pra me SHBA-të. Vetëm kështu ka qenë e mundur të ngritet dhe rritet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe çdo aplikim për në organizatat ndërkombëtare të jetë i suksesshëm. SHBA-të gjenden në krye të listës së partnerëve tanë në këtë drejtim, që kanë përkrahur dhe sponsorizuar anëtarësimin e Kosovës”, tha Hoti në interpelancë para deputetëve.

Tutje ai shtoi se në këtë frymë duhet kuptuar, se Kosovës i duhet përkrahje e shteteve të tjera, për në këto organizata.

“Pra duhet kuptuar në këtë frymë, që na nevojitet përkrahje e SHBA-së dhe shteteve tjera. Duhet parë edhe nga këndvështrimi në afatizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila duhet të ndodhë me një njohje reciproke, dhe normalizim të marrëdhënieve në çdo aspekt. Pavarësisht këtyre për të pauzuar për një vit në organizata ndërkombëtare, s’po pauzojmë punën tonë, por po përgatitemi për organizata, pra në koordinim të plotë me gjithë partnerët dhe SHBA-të. Që të sigurohemi se aplikimet tona s’do të dështojnë si në të kaluarën, por do të pranohen”, shtoi ai.