Nëse gastronomët nuk përfshihen në Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe nuk hiqen kufizimet e lëvizjes të vendosura nga Qeberia e Kosovës për ta, atëherë do të ndërmarrin masa duke protestuar.
Kështu tha për Telegrafin kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi duke shtuar se humbjet e këtij sektori vazhdojnë të rriten.
“Kërkesa jonë si gastronomi është që të hiqen kufizimet e lëvizjes që është vendosur deri në ora 22:30 dhe që të përfshihemi në Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Nëse këto kërkesat tona nuk do të plotësohen, ne do të vazhdojmë me protesta. Ku, ditën e premte, më 25 shtator, do të protestojmë para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës”, tha Kllokoqi.
Ai tha se deri më tani si shkak i pandemisë, ky sektor ka humbur 30 për qind të punëtorëve.
“Si rezultat i vendosjes së kufizimeve nga pandemia COVID-19, nga një mostër që ne kemi nxjerr del se ky sektor ka humbur 30 për qind të punëtorëve”, tha ai.
Kllokoqi shtoi se deri më tani nuk kanë marr ndonjë premtim konkret për përfshirjen e tyre në këtë Projektligj.
“Deri më tani nuk kemi marr ndonjë premtim konkret edhe pse ka pasur takime me zyrtar qeveritarë”, shtoi ai.
Kujtojmë se në mungesë të kuorumit, deputetët e Kosovës sërish kishin dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Në seancë kishin marr pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.
Në anën tjetër, ky Projektligj parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.