230 të vdekur nga koronavirusi që nga fillimi i këtij muaji në Kosovë

Kosova vazhdon të përballet me numrin e madh të vdekjeve nga koronavirusi.

Që nga muaji mars kur edhe janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë e deri më tani janë infektuar 12 mijë e 337 persona.

Mirëpo, Kosova po ballafaqohet me numrin e madh të vdekjeve muajt e fundit, e sidomos në muajin gusht, raporton lajmi.net.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovë (IKSHPK), numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi ka arritur në 457.

Mirëpo numri më i madh i vdekjeve nga koronavirusi është regjistruar në muajin gusht. Siç bën të ditur IKSHPK-ja, vetëm për 22 ditë, pra që nga 1 gushti e deri të shtunën, në vendin tonë kanë vdekur 230 persona të cilët ishin të prekur nga koronavirusi, shkruan më tutje lajmi.net.

Në raportet e IKSHPK-së, shihet se dita e 6 gushtit ka qenë më e kobshmja për vendin tonë, pasi që në këtë ditë ishin regjistruar 16 viktima brenda 24 orëve.