Mikroshteti australian që nuk është më “falë” COVID-19

Sundimi 50-vjeçar i një mikroshteti australian, formuar prej një “princi”, ka marrë fund.

Hutt River, principatë kjo e vetëshpallur, ka lëshuar pasaportat e saj dhe njëherësh madje i ka shpallur luftë Australisë. E viteve të fundit është bërë një i njohur si atraksion turistik.

Ama, ndikimi ekonomik i pandemisë së COVID-19, bashkë me faturat enorme tatimore, kanë shtrënguar principatën ta shpallë dorëzimin përfundimtar para Australisë.

Origjina e Hutt Riverit si një mikroshtet daton që prej viteve 1970, kur princi i ndjerë, Leonard Casley, pretendoi se ka shfrytëzuar një boshllëk ligjor për ta krijuar principatën në një pjesë të izoluar të Australisë Perëndimore, 500 kilometra në veri të Perthit.

I shtrirë në një zonë bujqësore prej 75 kilometrash katrorë, principata ishte sa dy herë Makau, por e populluar me më pak se 30 banorë.

Principata – ani pse e papranuar zyrtarisht nga Qeveria australiane – ka funksionuar si një shtet i pavarur. Qeveria e saj lëshonte viza dhe patentë shoferë, kishte pasaporta dhe valutë të veten, e mbante një stemë, e kishte flamurin dhe, siç pretendon, i operonte 13 përfaqësi diplomatike në 10 shtete të ndryshme, përfshirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francë.

Por tani, ky rrugëtim i tij ka marrë fund. Kur princi Leonard vdiq në shkurt të vitit të shkuar, ai la prapa vetes një faturë prej 2.15 milionë dollarësh në taksa, e cila e detyroi të birin dhe pasuesin e tij, princin Graeme Casley, të shpallë javën e kaluar shitjen e principatës për mbulimin e borxhit. Duke folur për media, Casley ka thënë se është rrënuar shkaku i vendimit për shpërbërjen e mikroshtetit.

“Është përnjëmend e trishtuar të shohësh babanë tek ndërton diçka për 50 vjet dhe pastaj të detyrohesh t’ia vësh asaj gjëje drynin”, ka thënë Casley. “Këto janë kohëra vërtet të vështira për ekonominë dhe ekspertët shëndetësorë kudo në botë, dhe edhe ne po e ndiejmë këtë gjë”.

Mikroshteti më i famshëm

Mikroshtetet janë entitete që pretendojnë të jenë shtete sovrane, por nuk konsiderohen ligjërisht si të pavarura, në krahasim me mikroshtetet e tjera, si qyteti i Vatikanit, që ka sovranitet të njohur ndërkombëtar.