Bayern Munichu ka mposhtur Lyonin me rezultat 3-0 në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe kështu është bërë finalisti i dytë pas Paris Saint-Germain.
Ekipi i Hansi Flick ka vazhduar dominimin e ndeshjeve edhe në gjysmëfinale, pasi francezët e Lyonit nuk kanë mundur t’ju bëjnë edhe aq ballë.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Bayernit, i cili krijoi lojë dhe raste, teksa gjeti edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm 18-të minutave me anë të Serge Gnabryt, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Joshua Kimmich, ndërsa i njëjti lojtar shënoi edhe për 0-2 në minutën e 33-të.
Lyoni rastet më të mira i pati me Memphis Depay (4’) dhe Karl Toko Ekambi (17’), por në rastin e parë topi shkoi pranë portës, ndërsa në të dytin u ndal nga shtylla.
Në pjesën e dytë, përsëri ishin Bavarezët që krijuan më shumë dhe menaxhuan ndeshjen deri sa siguruan fitoren.
Megjithatë, edhe pas rasteve të shumta të tyre, por edhe disa nga Lyoni, portat mbeten të paprekura deri në minutat e fundit
Ishte përsëri Bayerni që gjeti golin në minutën e 88-të me anë të Robert Lewandowski, i cili shënoi për 0-3 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.
Me këtë fitore, klubi i madh gjerman siguron finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, pas finales së fundmit të zhvilluar në sezonin 2012/13.
Në finale, Bayerni do të përballet me Paris Saint-Germain, në takimin i cili do të zhvillohet të dielën.