Komunat që nuk kanë mundësi të mëdha buxhetore janë duke kërkuar ndihmën e Qeverisë për kryerjen e testeve serologjike. Kamenica është njëra nga këto komuna, e cila kërkon nga Ekzekutivi të ndajë mjete financiare ose t’i furnizojë me teste, raporton KOHA.
Një tjetër Komunë që ka nevojë për ndihmën e Qeverisë është edhe ajo e Ferizajt. Kjo komunë ka të regjistruara mbi 700 raste pozitive me COVID-19.
Për dallim nga këto dy komuna, Prizreni është i gatshëm të nisë me testimet serologjike. Përpos mjeteve financiare, kjo komunë ka edhe aparaturat e nevojshme për këtë proces.
E nga Ministria e Shëndetësisë i është thënë KOHËS se do të përkrahë komunat për kryerjen e testeve serologjike.
“Komunat të cilat në kuadër te QKMF-ve kanë laborator biokimik dhe kanë mundësi të kryejnë teste, kjo u është mundësuar ligjërisht. Testimet serologjike nuk janë për të vendosur diagnozë të COVID-19 dhe i kryen ajo komunë që ka interesim dhe mundësi. Ministria do të sigurojë teste serologjike edhe për sektorin publik dhe do ta përkrahë shtrirjen e testimit serologjik edhe në komuna”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Prishtina është Komuna e parë që tash e një muaj është duke kryer testime serologjike, dhe deri më tani janë testuar rreth 2 mijë e 500 banorë të kryeqytetit.
E të martën, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nënshkroi Udhëzimin Administrativ, i cili u lejon të gjitha komunave kryerjen e këtij lloj testimi.