Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë mbrëmjen e sotme kanë krijuar vështirësi në qarkullim në disa rrugë të Prishtinës.
Probleme më të mëdha janë shkaktuar në rrugën “Ali Pashë Tepelena”, si dhe në rrugën “MuharremFejza”.
Po ashtu, në Fushë Kosovë gjatë mbrëmjes së sotme ka rënë shi i shoqëruar me breshër, duke shkaktuar kështu disa dëme në kulturat bujqësore.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, më herët ka njoftuar se java e tretë e muajit gusht do të vijoj me mot të ndryshueshëm, por me intervale të gjata me diell. Ndërsa, nga dita e hënë deri të enjten, kryesisht pasditeve pritet të ketë zhvillim të vranësirave dhe kushte për reshje shiu i përcjellur me erëra, në formë të stuhive lokale dhe shkarkime rrufesh.
IHMK ka bërë të ditur se reshjet nuk do të përfshijnë gjithë territorin, më pak në Dukagjin, ndërsa reshje të intensitetit mesatar parashihen në rrafshin e Kosovës.
Sipas njoftimit të IHMK, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-31 gradë Celsius. Indeksi UV do të jetë i lartë në orët e mesditës, prandaj këshillohet të respektohen udhëzimet e IKSHP.