Në AAK kërkojnë që Haradinaj të jetë kandidat për president

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka deklaruar se Ramush Haradinaj do ta shqyrtojë me partnerët e koalicionit mundësinë që ai të jetë kandidat për president, pasi ka zëra brenda Këshillit të AAK-së, që pikërisht kreu i kësaj partie të jetë kandidati për të parin e vendit.

Gjini tha se gjatë mbledhjes së kryesisë, kanë diskutuar në lidhje me këtë dhe shpresojnë se partitë politike do të gjejnë një rrugë që të zgjedhin presidentin e vendit, pa shkuar në zgjedhje.

“E kemi diskutuar gjatë çështjen e qeverisjes. Ne mendojmë se mund të ketë rrethana të reja, sa i përket zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Po e them këtë për shkak se edhe nëse nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës për presidentin Thaçi, që ne të gjithë kemi shpresuar se nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, ne prapë se prapë për disa muaj duhet të ketë zgjedhje të presidentit. Aleanca nuk mendon se vendi duhet të shkoj në zgjedhje, për shkak se nuk do të arrihet të zgjedhet presidenti. Shpresojmë se partitë politike do ta gjejnë rrugën për me zgjedh presidentin e ri të vendit. Ka thirrje në Këshillin Drejtues që kryetari Haradinaj të jetë kandidat për President. Këto çështje do t’i shqyrtojmë. Do t’i shqyrtoj edhe kryetari Haradinaj edhe me partnerët e koalicionit”, tha Gjini.