Ministri Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Kosovës, Ramë Likaj, ka thënë se në vitin e ri shkollor, që fillon më 1 shtator, nxënësit e klasave të para dhe të dyta, procesin mësimor pritet të fillojnë në hapësirat shkollore.
Në raportimin në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës, në lidhje më përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, ministri Likaj ka treguar se komunat do të dezinfektojnë hapësirat shkollore, njëherësh do zbatohen edhe masat parandaluese për sëmundjen COVID 19, që shkakton koronavirusi.
Edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe në takimin virtual që ka pas të martën me kryeministrinë e Kosovës, Avdullah Hoti, kryetarët e komunave të Kosovë dhe me drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit, kanë kërkuar që prioritet për rikthim në objektet e shkollave, të kenë nxënësit e klasave të para, dyta, gjashta dhe të klasave të dhjeta.
“Por, kjo gjithmonë duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore për situatën epidemiologjike dhe kapaciteteve të hapësirave shkollore në nivel komunal”, tha Ibrahimi.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, kurse zbatimi i udhëzimeve varet nga drejtoritë komunale të arsimit varësisht kapaciteteve të tyre të hapësirave shkollore dhe gjendjes epidemiologjike në vend.
Skenari A parasheh mësim me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, duke zbatuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj COVID-19. Masat mbrojtëse janë mbajtja e maskave, respektimi distancës dhe mbajtja e higjienës personale.
Skenari B ka të bëjë me rikthimin e pjesshëm (mësimi i kombinuar – prezencë dhe mësim në distancë). Në këtë alternativë, prioritet janë klasat 1 deri 5, ku parashihet që numri maksimal në klasë të jetë 10 nxënës, orari i shkurtuar dhe mësim plotësues online.
Kurse skenari C parasheh mësimi nga distanca nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik.
Ekspertë për çështje të arsimit, thonë se nëse kushtet epidemiologjike nuk lejojnë kthimin në shkollë, atëherë mësimi i kombinuar mund të jetë më efektiv sesa mësimi nga distanca, i cili iu është imponuar nxënësve nga masat që u morën në muajin mars nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që ndërmorri Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor.