Hoti: Sektori privat do ta ketë mbështetjen e Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka vizituar sot kompaninë “Eurometal” në Ferizaj, ku është pritur nga pronari i kompanisë, Njazi Musliu.

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se janë këtu për të vizituar një biznes shumë të rëndësishëm, kompaninë “Eurometal”, të Njazi Musliut, që është shembull i punës, inovacionit dhe zhvillimit me resurse të veta, duke shfrytëzuar maksimalisht potencialin që ka tregu i Kosovës dhe tregu ndërkombëtar.


“Është vërtet një kompani që e marrim si model se si mund të zhvillohet sektori privat me rreth 110 punëtorë, me 70 për qind të prodhimit që eksporton jashtë dhe atë në vendet si Norvegjia, Suedia, vende të ndryshme në BE, që nënkupton përmbushje të standardeve më të larta të cilësisë së produkteve, gjithashtu edhe në regjion”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se është një biznes mjaft i shëndoshë.


Kryeministri Hoti tha se janë aty për të treguar mbështetjen e qeverisë ndaj sektorit privat përmes politikave qeveritare, përmes Pakos për rimëkëmbje ekonomike, e cila, siç tha ai, pritet që shpejt të fillojë të zbatohet në praktikë dhe të kalohet nga pjesa e ndihmës emergjente për bizneset kah rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik, me disa instrumente që janë pjesë e programit qeverisës.

“Ministrat veç e veç nëpër sektorë të vet janë duke i zhvilluar tanimë ato instrumente dhe po presim që shumë shpejt, sapo të miratohet buxheti, ne të fillojmë në mënyrë sa më intensive të mbështesim sektorin privat edhe përmes resurseve tona si qeveri, por edhe përmes granteve, donacioneve dhe kredive ndërkombëtare, një pjesë e të cilave u miratuan para dy ditësh në Kuvendin e Kosovës”, tha kryeministri Hoti, duke falënderuar deputetët për mbështetjen e atyre marrëveshjeve, por edhe duke kërkuar nga ata që sa më parë, gjatë javës së ardhshme, të përmbyllet edhe buxheti edhe Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike që ka kaluar në qeveri dhe tash është në procedura të Kuvendit.

Kryeministri Hoti, me këtë raste, potencoi se janë këto tri instrumente që e bëjnë të mundur zbatimin e plotë të Pakos për rimëkëmbje ekonomike, pra Marrëveshjet ndërkombëtare, rishikimi i buxhetit dhe Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.


Po ashtu, kryeministri Hoti falënderoi pronarin e kësaj kompanie, z. Musliu, për një gjest humanitar, të ndërtimit të konstruksionit të ndërtesës për gratë e Krushës së Madhe, duke thënë se do t’i bëjnë forcat bashkë për të mbështetur një pjesë të këtij projekti dhe që ai projekt në Krushë të Madhe të funksionalizohet.  

Pronari Njazi Musliu, falënderoi kryeministrin Hoti për vizitën, duke thënë se kjo tregon më së miri orientimin e qeverisë për mbështetjen e bizneseve private, meqë, siç tha ai, të gjitha kompanitë në Kosovë kanë nevojë për një rimëkëmbje ekonomike.