Anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia të cilës ai i takon, do të vazhdojë të mbesë në opozitë.
I pyetur se a janë gjasat që PDK të hyjë në Qeveri bashkë me partitë që aktualisht janë në udhëheqje, Hoxhaj, ka thënë se PDK do të vazhdojë të mbetet në opozitë, por jo ndaj shtetit të Kosovës por ndaj qeverisë Hoti.
“Kjo qeveri deri më tash nuk ka deri më tash asnjë lidhje as politike e as filozofike me atë se çka është PDK-ja. Ne jemi opozitë ndaj qeverisë, por nuk jemi opozitë ndaj shtetit të Kosovës. Ju e përmendet votën tonë ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndaj buxhetit të Kosovës. Ato marrëveshje janë mbështetje e madhe e BE-së për qytetarët e Kosovës, Ndërsa tek buxheti, shumë deputetë të PDK-së dhe kryetari kanë marrë kërkesa specifike nga qytetarët e Kosovës pasi janë në gjendje të rëndë ekonomike për shkak të pandemisë.”, ka thënë Hoxhaj në Klan Kosova.
Enver Hoxhaj, gjithashtu ka thënë se për këtë çështje nuk është biseduar në kryesinë e PDK-së.
“Deri më tash në PDK nuk ka pas debat, as në kryesi, as në grup parlamentar që ne mund të bëhemi pjesë e kësaj Qeverie. Ndoshta buxheti është mbështetja e fundit që ne e kemi dhënë ndaj qeverisë, edhe pse kemi vërejtje të mëdha ndaj kësaj qeverie, duke fillu me dialogun, duke fillu nga mos përgatitja e kryeministrit Hoti në Bruksel, e cila është skandal në vete”, ka thënë Hoxhaj.