Qeveria në kërkim të zgjidhjes për Telekomin e Kosovës

Qeveria e Kosovës po bën përpjekje maksimale për të gjetur ndonjë zgjidhje për të ndihmuar Telekomin e Kosovës, thonë nga qeveria.

Besnik Krasniqi, udhëheqës i Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë duke u angazhuar se në çfarë formash mund të sigurohen mjetet e nevojshme për këtë kompani. Ai shpreson se shumë shpejtë do gjendet një zgjidhje.

“Qeveria është duke u munduar që të gjejë modalitete, se ku të gjenden mjetet për të zhbllokuar këtë situatë. Për momentin jemi duke punuar në grupe punuese vazhdimisht për të gjetur mjetet”, thotë Krasniqi.

Xhirollogaritë e kësaj kompanie janë bllokuar më 15 korrik, për rastin e arbitrazhit ndërkombëtar me operatorin ekonomik Dardafon, në kuadër të së cilit është edhe shërbimi telefonik i njohur me emrin Z-Mobile.

Aktualisht, Telekomi i Kosovës është pa mjete financiare në xhirollogarinë e saj. Në mungesë të mjeteve rrezikohet të nd֝ërpriten të gjitha shërbimet e telefonisë mobile dhe fikse, thonë udhëheqës të sindikatës së kësaj kompanie. Në Telekomin e Kosovës janë të punësuar mbi 2.600 punëtorë.

Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me situatën aktuale Telekomi nuk mund të operojë në treg as për 10 ditë.

Në llogari bankare kanë qenë mbi 3.5 milionë euro. Tre milionë euro, thotë Balaj, kanë qenë mjete financiare, që muajin e kaluar Qeveria e Kosovës ka ndarë për Telekomin, për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare, nga masat që u morën nga autoritetet kompetente në muajin mars dhe prill, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Përmbaruesi i ka tërhequr të gjitha mjetet nga xhirollogaritë. Realisht, Telekomi është pa mjete në xhirollogari, nuk do të ketë paga për këtë muaj. Sigurisht që ne jemi duke shkuar drejtë një kolapsi jo vetëm për paga, por asnjë pagesë që na nevojitet për të operuar në treg, sepse na nevojitet naftë, duhet të bëhet pagesa e pronarëve të tokës ku janë të vendosura antenat e Telekomit”.

“Gjithçka lidhet më mjete financiare dhe kjo gjendje nuk mund të qëndrojë më shumë se 10 ditë dhe ka mundësi që të shkojmë në kolaps. Si Telekom mund të bie i gjithë sistemi dhe mund të kapitullojë telefonia fikse dhe mobile”, tha Balaj.

Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar 10 vjet më parë, kontratë kjo e cila i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër tëTelekomit të Kosovës.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile. Borxhii Telekomit të Kosovës ndaj Z- Mobile llogaritet mbi 25 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të mërkurën nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, lidhur më këtë çështje, pas mbledhjes së Qeverisë të Kosovës.

Por, Besnik Krasniqi, kujton se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga pronarët e Dardafon-it (Z-Mobile) që të pezullojnë përkohësisht procedurat përmbarimore. Por, pronarë të kompanisë, thotë ai, nuk kanë treguar mirëkuptim rreth kërkesës së Qeverisë së Kosovës.

“Pronarët e Dardafon-it nuk kanë pasur mirëkuptim në kërkesën tonë dhe brenda ditës janë përgjigjur se refuzojnë të pezullojnë aktivitetin e tillë. Dhe në ndërkohë ka ardhur njoftimi nga përmbaruesi privat që ka dhënë urdhër të ekzekutimit të procedurës përmbarimore. Çuditërisht ka kërkuar që brenda 60 minutash të realizohet ekzekutimi i pagesave. Dhe kjo është situata”, tha ai.

Ndryshe, të martën nga Telekomi ka dhënë dorëheqje edhe Bordi i Përkohshëm i kësaj kompanie, që ishin emëruar nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Edhe pse është konsideruar si kompana më profitabile në vend, që nga viti 2015 është përballur me probleme të mëdha financiare dhe operative ose me humbje milionëshe brenda vitit.

Për të dalur nga gjendja e rëndë financiare, Qeveria e Kosovës, në janar të vitit 2019, pati marrë vendim që të privatizohet kjo kompani.

Sipas projeksioneve të Qeverisë së Kosovës, privatizimi përfshinë pjesën vendimmarrëse të Telekomit, me rreth 51 për qind, duke qëndruar aksionarë për pjesën tjetër. /Rel/