Ahmeti: Alarmante rritja e shpejtë e rasteve në Prishtinë

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka quajtur alarmante dhe shqetësuese rritjen e shpejtë të rasteve të reja me COVID-19 në Prishtinë. Ai ka thënë se bazuar në të dhënat e marra nga IKSHPK, që nga data 20 mars deri sot janë 1 mijë e 963 raste me COVID-19 prej të cilave 1 mijë e 209 raste janë ende aktive.

Sipas tij, mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Kemi 732 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 22 raste që kanë përfunduar me fatalitet. Mbajtja e maskës është një̈ prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmëti në një postim në Facebook, tutje ka bërë thirrje që të respektohen masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

“Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm. Sepse vetëm bashkë mund të e tejkalojmë këtë sfidë! Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë”, ka shkruar Ahmeti.