OBSH-ja raporton shifër rekorde të rasteve ditore të virusit në nivel global


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), gjatë 24 orëve të kaluara i ka raportuar 259,848 raste të personave të infektuar me koronavirus në nivel global. Kjo ishte shifra më e lartë ditore që nga fillimi i përhapjes së virusit të ri.

Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve që është raportuar nga institucioni i njohur ndërkombëtar shkoi në 13.8 milionë persona, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Rekordi i mëparshëm ishte shënuar të premten, kur ishin raportuar 237,743 raste infektimesh për një ditë.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe në botë u shënuan edhe 7,360 raste fatale dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 593,087.

Kjo organizatë më parë ka paralajmëruar se situata me pandeminë është duke u përkeqësuar dhe një gjë të tillë po e dëshmojnë rekordet e shënuara ditëve të fundit.

Shtetet e Bashkuara dhe Brazili po vazhdojnë ta shënojnë rritjen më të madhe të numrit të rasteve. Në këto vende, për çdo ditë po raportohen dhjetëra mijëra raste të reja.