Sindikata: Qeveria të marr përgjegjësinë për situatën e krijuar në Telekom

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomit ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të marrë edhe përgjegjësinë për gjendjen e krijuar.

Kjo pasi që Qeveria është aksionare e kësaj ndërmarrje, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot priti në takim drejtuesit e Telekomit dhe të Sindikatës së PTK-së. Megjithatë, nuk u dha asnjë detaj se çfarë është folur në këtë takim.

Telekomit iu bllokuan llogaritë, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka njohur të drejtën Z-mobile për përmbarimin e borxhit të Arbitrazhit.

“Kryetari (i Sindikatës Lamih Balaj v.j.) i shpalosi qëndrimet e Federatës dhe rekomandimet për Qeverinë e Kosovës që sa më shpejt të behet zhbllokimi i llogarive të Telekomit të Kosovës dhe të mos ketë pengesa në operimin e punëve ditore. Gjithashtu kemi kërkuar që aksionari të marrë përgjegjësinë direkte, sepse bordet të cilat i kanë miratuar nënshkrimin e kontratave te dëmshme kanë qenë të emëruara nga Qeveria e Republikës se Kosovës dhe është përgjegjësi e Qeverisë si aksionare 100% ta mbrojë pasurinë shtetërore, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Republikës se Kosovës. FSP-PTK do t’u japë hapësirë negociatave të Qeverisë për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë qe të lirohen llogaritë e Telekomit, të bllokuara nga zhvatësi 10-vjeçar Z-Mobile”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së PTK-së.