Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj edhe një herë ka bërë thirrje që të respektohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore, dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Madje, këtë thirrje e pati edhe për bartësit e institucioneve, pasi sipas tij çdo tubim që tejkalon rekomandimet do të rëndojë situatën pandemike në vend.
Kështu tha Zemaj derisa është pyetur për pritjen e djeshme të organizuar në Morinë nga qytetarët për presidentin Hashim Thaçi i cili u kthye nga Haga.
“Unë ju lus juve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nevojave, pavarësisht dëshirave, vullnetit t’i respektojnë masat e qeverisë dhe masat e Ministrisë së Shëndetësisë që janë rekomandime të profesionisteve, të IKShP-së. Për këtë arsyeje ne bëjmë thirrje çdo ditë, bëjmë lutje, mbi të gjitha kërkojmë nga organet kompetente, organet e rendit dhe nga Inspektorët sanitarë dhe gjitha inspektoratet që janë në vend në shërbim me vendim të qeverisë që të respektojnë këto masa”.
Zemaj tha se obligim shtesë është edhe për bartësit e institucioneve të të gjithë nivelet, qoftë lokal apo qendror t’i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Çdo takim, çdo tubim që tejkalon rekomandimet tona dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës sigurisht që do të rëndojë situatën epidemiologjike në republikën tonë. Obligim shtesë është edhe për bartësit e institucioneve të të gjithë nivelet, qoftë lokal apo qendror e shfrytëzojmë rastin që kjo të jetë thirrje”, tha Zemaj.