Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi, ka njoftuar se janë duke u zgjeruar kapacitetet spitalore për pranimin e pacientëve me Covid-19.
Krasniqi theksoi se nga dje është lëshuar një kat i Klinikës së Neurologjisë me kapacitet prej 60 shtretër.
“Nga dje e kemi lëshuar një kat me kapacitet prej 60 shtretër, Klinika Infektive dhe ajo e Pulmologjisë janë mbushur me pacientë”.
Ai shtoi se së shpejti Spitali i Vushtrrisë do të bëhet “Spital Covid”.
“Në Komitetin për Menaxhimin e Covid-19, në konsultim me kryeministrin së shpejti edhe Spitali i Vushtrrisë do të bëhet komplet Spital Covid, ku do të pranohen pacientët e prekur me Covid. Pacientët e komunës së Mitrovicës dhe Vushtrrisë që janë të prekur, trajtimin do ta marrin në Vushtrri, dhe ata që nuk kanë koronavirus shërbimet e tjera dhe trajtimet e tjera do t’i marrin në Mitrovicë”.