Zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri, ka biseduar sot me Drejtorin e Zyrës së GIZ-it në Kosovë, David Oberhuber, Shefen e Zyrës për Bashkëpunim për Zhvillim nga Ambasada Gjermane, Anja Becky dhe udhëheqësin e ekipit të projektit të Qeverisjes Financiare, Kadri Sternberg.
Në këtë rast, ku është biseduar për Programin për Zvogëlimin e Barrës Administrative dhe legjislacionet të tjera të cilat Qeveria po i përkrah me qëllim që të kontribuoj në zhvillimin e një kornizë adekuate të politikave, bashkëbiseduesit u dakorduan që të bëhet ulja e barrës administrative, e cila do të ndikoj direkt në rritje ekonomike dhe do të krijoj mundësi për rritjen e investimeve.
Zëvendëskryeministri Tahiri, vuri theksin se Barrierat administrative janë si zinxhirë që e mbajnë ekonominë tonë poshtë. “Ne duhet t’iu japim bizneseve tona shanse të rriten në mënyrë që ata të investojnë dhe të punësojnë sa më shumë njerëz. Kësisoj ulja e barrës administrative me 30% do të na japë rritje ekonomike midis 1.6% dhe 3.6% të PBB-së”, tha zëvendëskryeministri Tahiri.
Po ashtu, zëvendëskryeministri Tahiri tha se ne duhet thyer zinxhirët, në mënyrë që të zhbllokojmë këtë rritje, duke eliminuar të gjitha procedurat e panevojshme, thjeshtuar ato që i duhen shoqërisë sonë dhe investuar në shërbime digjitale. Në këtë frymë, siç tha ai, politika për zvogëlimin e Barrës Administrative do të bëhet pjesë e pandashme e vendimmarrjes së Qeverisë.
Në frymën e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik, u pajtuan të përqendrojnë përpjekjet në Ligjin për Qeverinë, Ligjin për Pagat dhe planifikimin e politikave qendrore dhe lokale.
Zëvendëskryeministri Tahiri, falënderoi Zyrën e GIZ-it në Kosovë dhe Ambasadën Gjermane për përkrahjen dhe udhëzimet e tyre të vazhdueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe proceset e reformës në Kosovë.