Cakaj në Suedi, takon Wallensteen: Integrimi, Këshilli i Sigurimit dhe thellimi i bashkëpunimit, pikat ku kemi mbështetje maksimale

Gjatë vizitës zyrtare në Stokholm, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, zhvilloi një takim edhe me Sekretaren e Shtetit në Kryeministri, Karin Wallensteen.

Ndër temat e diskutuara në takim ishte edhe angazhimi i përbashkët në kuadër të OSBE-së, në rrafshin politik, ekonomik dhe njerëzor.

“Duke pasur parasysh se Suedia do të marrë Kryesinë e OSBE-së menjëherë pas Shqipërisë, këmbyem informacionin e nevojshëm dhe bashkërenduam veprimet në shërbim të një bartje sa më të suksesshme të Kryesisë për vitin e ardhshëm.”- u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook lidhur me takimin e zhvilluar.

Gjithashtu, Kryediplomati Cakaj theksoi se Suedia mbështet synimin e Shqipërisë për ulësen e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Në takimin e Ministrit në detyrë Cakaj me Sekretaren e Shtetit Wallensteen, diskutimi u fokusua gjithashtu edhe në rrugën evropiane të Shqipërisë, rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe mbështetjen politike të Suedisë deri në anëtarësimin e plotë të vendit tonë në Bashkimin Evropian.