Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, të hënën pritet të udhëtojë në Hagë, për tu intervistuar nga Prokuroria Speciale.
Lidhur me këtë, ka folur avokati Tahir Rrecaj, i cili ka thënë se arsyeja e ftesës mund të jetë sqarimi i çështjes së aktakuzës nga Prokuroria.
”Njëra nga arsyet është se mund të ketë qenë kërkesë e gjyqtarit të procedurës paraprake”.
”Arsyeja që është ftuar mund të jetë që gjyqtari i procedurës paraprake gjatë vlerësimit që ka bërë, e ka parë që është e nevojshme një sqarim i një çështje të rëndësishme për vërtetimin e një aktakuze apo hedhjen e saj”, është shprehur ai.
Sipas tij kjo është e drejtë e gjyqtarit të kësaj procedure, njofton Klan Kosova.
”Gjyqtari i procedurës mund të kërkojë nga prokurori që të rishikojë aktakuzën, rishikojë hetimin e veprimeve të personit potencial të dyshuar. Ka të drejtë të bëjë edhe ndryshim”.
”Mund të kërkojë zvogëlimin e kuadratit të pikave të aktakuzës nëse vlerëson se janë të tepërta”.
Avokati Rrecaj potencon se këto sqarime nevojiten rreth vendimit për aktakuzën.
”Këto veprime gjyqtari i procedurës i merr para ngritjes së aktakuzës. Ato sqarime të hollësishme – analiza, i nevojiten për me marrë vendim të drejtë të aktakuzës”.
”Por a ka prova të mjaftueshme apo jo, këto janë çështje që gjyqtari e ka autoritetin të kërkojë sqarime”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha dje njoftimin se është ftuar nga Prokuroria Speciale dhe se të hënën do të udhëtojë për në Hagë për tu intervistuar.
”Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”, u shpreh Presidenti Hashim Thaçi.