Të panevojshëm e ka cilësuar kabineti qeveritar hartimin e ligjit për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë, inicimin e së cilit e kanë nisur disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, në krye me kryeparlamentaren Vjosa Osmani.
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, në paraqitjen e opinionit të ekzekutivit, ka thënë se menaxhimi i pandemisë është mjaftueshëm i rregulluar me legjislacionin në fuqi dhe dispozitat e veçanta të Kushtetutës.
“Qeveria e Kosovës vlerëson nuk mbështet nismën legjislative të iniciuar nga disa deputetë të Kuvendit për rregullim të ri ligjor me të cilin bëhet kufizimi i disa prej lirive themelore të garantuara me Kushtetutën. E vlerëson të panevojshëm miratimin e projektligjit për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë”, ka thënë ndër tjerash Selmanaj.
Hartimi i një ligji të veçantë, përmes së cilit do të rregulloheshin disa prej çështjeve që lidhen me menaxhimin e pandemisë, ka qenë kërkesë e Gjykatës Kushtetuese, e cila muaj më parë kishte vlerësuar si antikushtetuese disa prej vendimeve të marra nga ish-kryeministri Albin Kurti.