Gent Cakaj i quan spekulime shkrimet që po i bashkohet PDK-së

Kryediplomati i Shqipërisë, Gent Cakaj, është raportuar se po kthehet në Kosovë, për t’u bërë pjesë e PDK’së. Zyra e tij këto raportime i quan spekulime. Edhe Besa Shahini, e cila është gruaja e kryetarit të PSD’së, Dardan Molliqajt, sipas këtyre shkrimeve, mund t’i bashkohet skenës politike kosovare, por nën siglën e partisë së Kadri Veselit. 

Dy ministrat nga Kosova në kabinetin e Edi Ramës raportohet se mund të largohen nga Shqipëria, për t’u bërë pjesë e politikës kosovare. Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini thuhet se do të jenë në listën e reformave që kryeministri Rama planifikojë t’i bëjë në kabinetin e tij.

Zyra e Cakajt për Gazetën Express mohon këto raportime, duke thënë se ai mban detyrat që i ka të caktuara në Qeverinë e Shqipërisë dhe të tjerat përtej tyre  janë spekulime politike. 

“Cakaj është Ministër në detyrë për Evropen dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë si dhe Sekretar i Partisë Socialiste te Shqipërisë. E gjitha puna e tij është e fokusuar tek realizimi sa me i suksesshëm i detyrave të cilat i janë caktuar dhe mbi te gjitha këtij mandati. Çdo punë e tij e zhvilluar deri më sot shkon në përputhje me mandatin e tij. Kjo për t’u nënvizuar. Më vjen keq, por çdo gjë tjetër është spekulim për qëllime politike”, kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.