Ligji i Pagave, Tahiri: Ende nuk ka një aktgjykim të prerë nga Gjykata Kushtetuese

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka folur për Ligjin e Pagave, pasi gjykata Kushtetuese javën e kaluar e shpalli si të pavlefshëm.

Ai ka thënë se ende nuk ka një aktgjykim të prerë nga Gjykata Kushtetuese.

Tahiri ka thënë se sapo të marrin vendimin përfundimtar nga Kushtetuesja do ta bëjnë publik grupin punues tek mistria që do të merret dhe do ta trajtojë këtë temë.

Zëvendëskryeministri tutje ka shtuar se në pikat ku do të ketë rekomandime për korrigjim do të përmirësohen, si dhe nëse ka sugjerim që diçka të hiqet nga ky ligj, ato do të hiqen.

“ Javën e kaluar unë kamë bërë një zotim publik që të hënën do të fillojmë punën në raport me Ligjin e Pagave. E para na nuk kemi një aktgjykim të prerë ende nga kushtetuesja por kemi një njoftim nga Kushtetuesja, për këtë arsye kemi bërë analizën. Çka del si konkluzion në bazë të njoftimit nga kushtetuesja. E para ne si ta marrim vendimin menjëherë do ta bëjmë publik grupin punues tek mistria që do të merret dhe do ta trajtojë këtë temë. E para çkado që nuk kontestohet si çështje nga kushtetuesja do të trajtohet si e tillë. Do të shohim për kategoritë veç e veç, shërbimin civil, Policinë, zjarrfikësit, etj. E dyta aty ku ka rekomandime për korrigjim do të nisim punën që ta bëjmë dhe e treta nëse ka një sugjerim të prerë që diçka te hiqet, atëherë duhet ta heqim”, ka thënë Tahiri.

“Po ashtu diçka që është më rëndësi në këtë fazë është se në pikën 5 të njoftimit të kushtetueses flitet për parashikueshmërinë. Qeveria e Kosovës kur e kemi dërguar ligjin në Kuvend ne e kemi parapa ruajtjen e pagës dhe e kemi pa parashikueshmërinë, respektivisht ruajtja e pagës duhet të jetë me këtë ligj. Dhe kemi kalkuluar që për 4 vite paga duhet mu rujtë deri në 25 për qind në bazë të planifikimit buxhetor. Pra me nenin 27 ne e kemi paraparë këtë”, ka thënë tutje Tahiri.