Kërkohet rritja e koeficientit të pagave për zyrtarët publikë

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) i është drejtuar Komisionit për Buxhet të Kuvendit të Kosovës me kërkesë për rishikimin dhe rritjen e vlerës së koeficientit të pagave për zyrtarët publikë.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, kërkesa synon përmirësimin e pozitës materiale të punonjësve të sektorit publik dhe vlerësimin e drejtë të kontributit të tyre në funksionimin e institucioneve publike.

Sindikata ka bërë të ditur se kërkesën e ka adresuar zyrtarisht te Komisioni për Buxhet, duke kërkuar që çështja e koeficientit të pagave të rishqyrtohet në kuadër të procedurave institucionale.

SPAK-u ka theksuar se do të vazhdojë të përfaqësojë interesat e punonjësve të administratës publike dhe të avancojë kërkesat e tyre përmes rrugëve institucionale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në njoftim nuk është specifikuar se sa kërkohet të rritet vlera e koeficientit dhe as në çfarë afati kohor pritet të shqyrtohet kjo kërkesë.