E konfirmon Presidenca: Thaçi ndërprenë udhëtimin për në SHBA, nesër kthehet në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një njoftim për media, Zyra e Presidencës ka bërë të ditur se Thaçi ka ndërprerë udhëtimin për në SHBA dhe nesër do të kthehet në Kosovë.

Siç thuhet në njoftim, lidhur me anulimin e vizitës zyrtare në SHBA, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës tashmë e ka informuar edhe Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Richard Grenell, ka thënë se e mirëkupton vendimin e Thaçit dhe ka bërë të ditur se megjithatë takimi do të mbahet, me pjesëmarrjen e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.