Veseli: Kur Hoti e Kurti janë në pushtet, i nënshtrohen Serbisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Kuvendin e Kosovës se kryeministri Avdullah Hoti dhe ish-kryeministri Albin Kurti dhe partitë e tyre LDK e VV, kur janë në pushtet i nënshtrohen Serbisë, ndërsa në të kaluarën, sipas tij, kanë quajtur tradhtarë këdo që ka shkuar në dialog.

“Më 30 korrik 2018, si shef i grupit parlamentar, Hoti kërkonte që shteti i Serbisë duhet të ofrojë menjëherë të dhënat për të pagjeturit, të shprehë vullnet për kërkimfalje dhe për kompensim të dëmeve të luftës. Tani shtrohet pyetja: A e bëri Serbia ndonjë prej këtyre veprimeve, para se Kryeministri Hoti të takohet me udhëheqësit e Serbisë këtë javë në Washington? Natyrisht që jo! Madje, kjo Qeveri shkoi edhe më tej. U zotua se nuk do të aplikojë në asnjë organizatë ndërkombëtare, duke e vendosur shtetin e Kosovës në pauzë”, ka thënë Veseli në seancën e Kuvendit.

“Kur flasim për mashtrimet dhe ndryshimin e qëndrimeve për dialogun, hiç më e mirë nuk ishte as Albin Kurti. Njëjtë premtonte në opozitë se nuk do të ulet në tavolinë, pa i kthyer të pagjeturit. Dhe, pa 100 parakushte tjera. Por, sapo erdhi në pushtet, i harroi ato. Vrapoi për t’u takuar me Bernabiçin, e i mbet merak që s’e takoi edhe Vuçiqin. Nxori rezolutë për veten, në gjysmë të natës, në kohën e pandemisë, për t’u takuar pa kushte me Vuçiqin. Për 100 ditët e qeverisjes së tij, nuk mbet mall e konvoj serb pa hyrë në Kosovë. Për tërë këto, LDK-në e kishte në krah, e mbështeti dhe e votoi. Këto kasta politike, me lojëra e mashtrime, kanë krijuar neveri te qytetarët. Edhe LDK, edhe VV, siç duket, kurrë nuk e dinë për çka qëndrojnë, kur bëhet fjalë për interesat nacionale”, ka shtuar ai.

Ai ka kërkuar që LDK-ja dhe Vetëvendosje të sjellin qëndrimet për dialogun me shkrim “sepse të gjithë e dimë se ata po i ndërrojnë fjalët”.

Veseli ka shtuar se PDK-ja përkrah dialogun “që Kosovës ia siguron ulësen në OKB, si shtet të pacenuar”.

“Ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty duhet të jetë edhe Kosova. BE duhet ta njohë shtetin e Kosovës dhe t’i hapë rrugë integrimit dhe liberalizimit te vizave”, ka thënë tutje ai.