Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajn, me të cilin kanë biseduar për raportet Prishtinë-Tiranë.
Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë kryediplomatja kosovare, duke thënë se raportet Kosovë-Shqipëri nuk lëkunden nga themelet e forta që u janë vendosur.
“Kam zhvilluar një bisedë të ngrohtë telefonike me homologun tim shqiptar, z.Gent Cakaj. Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk lëvizin nga themelet e forta që na mbajnë bashkë në çdo kohë. Roli i Shqipërisë ka qenë ndër shtyllat kryesore të mbijetesës sonë në shekullin e kaluar, të çlirimit dhe pavarësisë”, thuhet në njoftimin e ministres.
Haradinaj-Stbulla thotë se me Cakajn kanë biseduar edhe për bashkërendimin e veprimeve për të realizuar detyrat shtetërore drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.
“Me z.Cakaj rikonfirmuam vullnetin që bashkarisht, si dy shtete, do jemi krah për krah në realizimin e detyrave tona shtetërore e kombëtare, e poashtu edhe gadishmërinë e realizimit të vizionit euro-atlantik të vendeve tona”, përfundon ajo.
Ministrja e jashtme dje ndërkohë ka zhvilluar 3 biseda telefonike me Mattheë Palmer, ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-gjeneralin, Wesley Clark.