Një tubim gjithë-popullor pritet të mbahet sot pasdite në Prishtinë, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në ditën e çlirimit që shënohet në Kosovë.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti është paraqitur me një video duke u bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në manifestimin që do të mbahet sot në orën 17:00. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se sot do të festojnë, por edhe do të protestojnë gjatë shënimit të 15-vjetorit të themelimit të partisë, datë kjo që është paralajmëruar të shënohet në kryeqytet me një tubim të madh, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Albin Kurti.
Nagavci ka thënë se do të festojnë e protestojnë, për të shënuar data me rëndësi e për të kundërshtuar projekte të rrezikshme.
“Ne, protestat i kemi bërë gjithnjë për kauzat që kemi mbështetur, njëjtë do të veprojmë edhe në të ardhmen. Për të ndaluar projektet e dëmshme për vendin do të përdorim të gjitha mjetet politike që kemi në dispozicion, edhe protesta. Me këtë Qeveri jolegjitime, Qeverinë e Presidentit duket se shumë shpejtë protestat do të jenë të pashmangshme. Madje me këtë nxitim të Kryeministrit jolegjitim që të kryej detyrën e tij kundrejt Presidentit, me zellin e tij për të vazhduar dialogun me Serbinë duke dobësuar paraprakisht pozitën e Kosovës me heqjen e reciprocitetit, protestat do të jenë të pashmangshme e të afërta. Në këto raste ne e qytetarët jemi një, s’ka manipulim që mund të ndal rezistencën”, ka shkruar ndër të tjera Nagavci.
Ajo ka thënë se shumë shpejt edhe protestat do të jenë të pashmangshme.
“Pra mos pyesni pse Lëvizja s’po organizon protesta, vështroni se pse po krijohet situata gjithnjë më shumë e më shpejtë që protestat të jenë të pashmangshme. Mos pyesni se kur do të thërrasim protesta, mundohuni të ushtroni ndikimin tuaj tek Qeveria jolegjitime që të mos ketë arsye për protesta. Nesër VETËVENDOSJA! feston 15 vjetorin, pra nesër festojmë në shesh, paqësisht, masovikisht e duke respektuar masat për ruajtjen e shëndetit. Kemi arsye për të festuar, jemi gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më të fuqishëm”, shkruan Nagavci.E SPONSORUAR
Ndërkaq, mbajtjen e manifestimit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se LVV ka lajmëruar policinë për mbajtjen e tubimit.
“Lidhur me tubimin/manifestimin e paralajmëruar të mbahet më 12.06.2020 në orën 17:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës njofton opinionin publik se organizatorët e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës për mbajtjen e këtij tubimi/manifestimi. Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, dhe me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, me qëllim të mbarëvajtjes së tubimit, mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim theksohet se si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore”, thuhet në njoftim.
E për këtë tubim ditë më parë ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë.
Përmes një komunikate, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga qytetarët amerikanë që të shmangin sheshet e Prishtinës deri më 17 qershor.
Ambasada ka shkruar se një tubim i tillë, ani pse i thirrur si manifestim i qetë, mund të shndërrohet në tubim të dhunshëm.
“Disa ngjarje janë paralajmëruar nga 10 deri më 17 qershor 2020. Këto ngjarje përfshijnë, por jo vetëm, përvjetorin e 21-të të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje. VV po organizon një protestë politike (“tubim”) më 12 qershor, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Personeli qeveritar amerikan dhe qytetarët amerikanë këshillohet të shmangin zonat e demonstratave dhe të jenë të kujdesshëm nëse gjenden në afërsi të ndonjë tubimi të madh, proteste apo demonstrate. Edhe tubimet e proklamuara të qeta shpejtë mund të shndërrohen në të dhunshme. Tubimet në numra të mëdhenj mund të shndërrohen në super-ngjarje të përhapjes së Covid-19”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës së ShBA-ve.