Vjosa Osmani nuk e votoi për kryeministër, Avdullah Hoti tregon se a i mbeti hatri

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se ish-kryeministri Albin Kurti iu ka ikur përgjegjësive për proceset e ndryshme dhe për dialogun.

Hoti tha se përgjegjësi e tij do të jetë që të iu dalë në ballë proceseve.

“Detyra ime është që në ditët e para të ju dal në ballë proceseve. Ish-kryeministri Kurti nuk iu ka dalë në ballë proceseve, nuk ka marrë përgjegjësi për dialogun dhe iu ka ikur atyre që i kemi kërkuar ne si partnerë të koalicionit. Ai ka pasur tendencë për kacafytje institucionale”, theksoi Hoti.

I pari i ekzekutivit theksoi se mosvotimi i tij si kryeministër nga bashkëpartiakja e tij njëherësh nënkryetare e LDK-së Vjosa Osmani, i takon asaj dhe nuk do ta komentojë.

“Është çështje e saj. Unë nuk do ta komentoj veprimin e saj. Ajo është kryetare e Kuvendit.Unë do ta respektoj si kryetare e Kuvendit. Unë kam nevojë që të kem bashkëpunim të plotë me Kuvendin e Kosovës me kryetaren e Kuvendit, me presidentin e vendit dhe me gjithë bartësit e institucioneve”.

“Po, e kam votuar si kryetare e Kuvendit, dhe e kemi pasur si bartëse e listës dhe ka pasur mbështetje në zgjedhje por edhe në procese të tjera zgjedhore dhe ajo e din mirë se për çfarë po flas”, deklaroi shefi i qeverisë.

Hoti shtoi se deputetët e Lidhjes Demokratike që nuk e kanë votuar qeverinë e udhëhequr nga ai nuk mund të cilësohet si veprim i mirë.

“Jo unë nuk kam nevojë të kërkoj mendim se pse nuk më ka votuar as nga ajo dhe nga askush tjetër. Mendoj që kryetari Mustafa ka kërkuar vazhdimisht e edhe tash një gjë që është krejt e natyshme që të respektohet vullneti demokratik brenda partisë. Përderisa një vendim e merr një shumicë edhe pjesa tjetër duhet të respektoj vendimin”, ka theksuar ai.

Hoti ka folur edhe për mundësinë e përjashtimit të Osmanit nga LDK-ja.

“Statuti i partisë është shumë i qartë dhe ata nuk kanë bërë mirë që të. Nuk është se asgjë nuk ka ndodhur. Ka ndodhur votimi i një qeverie të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por disa deputetë nuk e kanë votuar qeverinë. Këtë përgjigje mund ta jep më së miri kryetari Mustafa. LDK nuk përjashton askënd madje edhe nëse në raste të caktuar na kanë dëmtuar si parti politike”, u shpreh ai