Ahmeti thotë se kanë pritur më shumë se 13 raste në Prishtinë

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike sot janë 29 raste të reja me Covid-19 në Kosovë.

Nga numri i përgjithshëm 13 janë shënuar në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se kanë pritur edhe më shumë raste me COVID-19 në Komunën e Prishtinës.

“29 raste të reja e 13 raste në Prishtinë. E pritshme. Pas 10 rasteve të reja të dielën këto tre ditë janë testuar mbi 200 kontakte të këtyre personave. Testimet janë bërë tre ditë rresht dhe realisht kemi pritur numër edhe më të madh. Tani vetizolim dhe ndalesë e përhapjes”, tha Ahmeti.

Sipas tij, pozitiv është fakti se nuk ka të infektuar fëmijë të çerdheve.

“Lajm i mirë, që fëmijët e çerdheve janë testuar negativ. Kjo na lejon që çerdhet Lulevera dhe Buzëqeshja të rihapen pa klasët e testuara. Situata është e menaxhueshme. Ju lutemi për distancë dhe maska”, ka shkruar ai.