Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut e ka konfirmuar incidentin që i ndodhi të enjten presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, duke thënë se iu kërkua telefoni që ajo të kalonte për t’u skanuar.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se tre persona të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kanë shkuar aty “dhe kanë filluar t’i kërcënojnë punëtorët e TAV-së (Aeroportit) dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.
“Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në reagim u tha se në këtë incident është përfshirë edhe një punonjës policie i pikës kufitare. Autoritetet maqedonase thanë se po e hetojnë rastin.
“Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet tutje.