Presidenti Thaçi ndryshon fjalët, tash nuk dëshiron “Gjendje të Jashtëzakonshme”

Propozimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, që e kishte bërë Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në njëfarë forme qoi deri tek rrëzimi i Qeverisë Kurti.

Kjo pasi ish-shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, kundërshtoi këtë gjë, e cila u përkrah nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili më pas u shkarkua për deklaratat e tij.

Por, tash kur është bërë Qeveria e re, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, Thaçi në një konferencë për media, pasi u pyet për këtë gjë, u shpreh kundër saj.

“Kurrë nuk kam pasur pretendim entuziast për atë gjendje, para së gjithash prioritet e kam pasur shëndetin e qytetarëve, ideja ishte të jetë në interes të shëndetit për sa më pak viktima e të infektuar, sot mesazhi është të dëgjojnë rekomandimet e IKSHPK-së, nuk kemi nevojë për rrethanë të jashtëzakonshme, rekomandimet e IKSHPK, ministria e qeveria duhet t’i respektojnë nëse qytetarët nuk i respektojnë masat, pra një disiplinim i njerëzve, pasi hapja e plotë ka edhe rreziqe, por dua të besoj që qytetarët do t’i dëgjojnë rekomandimet”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, gjithashtu ka thënë që edhe si fjalë, “Gjendjen e Jashtëzakonshme”, e ka urrejtur gjithmonë, shkruan gazeta inFokus.

“E kam urrejtur gjithmonë si fjalë Gjendjen e Jashtëzakonshme, prej kohës së regjimit serb, në anën tjetër ajo rrethanë në atë kohë ishte rrethanë për të krijuar mundësi për tu mbrojtur qytetari e tash ai moment ka kaluar, është shumë me rëndësi të repsektohen vendimet”, ka thënë Thaçi.