Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e së cilit udhëheqë me qeverinë, tha se heqja e reciprocitetit ndaj Serbisë, i hap rrugë rinisjes së dialogut me Serbinë.
Përmes një postimi në Facebook, ai e cilësoi si “vendim të guximshëm” heqjen e reciprocitetit dhe tha se pret nga Serbia që të dëshmojë se është e interesuar për dialog dhe të ndërmarrë masa për të krijuar kushte, që bisedimet të rikthehen.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr pengesat për procesin e dialogut, por theksoi se tani i mbetet Serbisë, që të heqë pengesat, duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.