Kosova bie për 19 pozita, liria e shtypit po kërcënohet nga politika

Kosova ka rënë për 19 pozita në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, për këtë vit. Nga pozita e 56-të, ku radhitej vitin e kaluar, sivjet ka rënë në pozitën e 75 në mesin e 180 vendeve. 

Në raport thuhet se sulmet kundër gazetarëve janë rritur “në kohën e tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit”.

“Edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objektiva e sulmeve politike. Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), po përpiqet ta reformojë veten. Kanali televiziv, Klan Kosova, i është nënshtruar ngacmimeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu kishte kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik RTK me zgjedhjen e një aleati të ngushtë të partisë në pushtet si drejtor. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raport. 

Sipas gjetjeve të raportit në Kosovë edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, rrallëherë rezultojnë në ndjekje penale.