Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se heroi Adem Jashari dhe krejt çka përfaqëson figuria e tij, ka një hise shumë të madhe.
Gjatë fjalimit të tij në seancën solemne për përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, Kurti shtoi se Jashari ka një hise të një njeriu që brenda kohës së tij dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij.
“Adem Jashari dhe krejt çka përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe. Ajo është hisja e një njeriu që brenda kohës së tij dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij gjatë gjithë jetës deri në vdekje, deri në rënien heroike”, u shpreh shefi i qeverisë.
Tutje, Kurti tha se Adem Jashari është emri i përvetshëm i njeriut me të cilin mudn t’i referohemi lirisë sonë.
“Liria ishte kushti i jetës e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Andaj nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri, atëherë Adem Jashari është emri i përvetshëm i njeriut me të cilin ne mund t’i referohemi lirisë sonë. Lavdi Adem Jasharit, familjes Jashari, UÇK-së dhe gjithë dëshmorëve të kombit”, theksoi Kurti.