Google është “detyruar” të deklarojë publikisht se posta elektronike Gmail nuk është mbyllur, pas një informate të rreme të shpërndarë në internet.
BBC-ja ka raportuar se të paktën shtatë milionë herë është parë një postim i shpërndarë në rrjetin social X ku thuhej se “Gmail do të mbyllet në gusht”.
Google e përgënjeshtroi informatën në X, duke shtuar se Gmail “është këtu për të qëndruar”.
“Shumica e njerëzve besojnë atë që shohin në internet dhe ka mungesë të mjeteve dhe proceseve për t’i verifikuar faktet”, ka thënë Richard Bagnall, ekspert i komunikimit.
Ai ka shtuar se rrjetet sociale po veprojnë pa përgjegjësi dhe po dërgojnë informacione të pafiltruara te audienca.
“Ky incident i Gmail nuk do të jetë rasti i fundit që do ta shohim”, ka theksuar Bagnall.