Pas pak më shumë se dy javësh prej kur u miratua Ligji i ri për Specialen, Patria Demokratike e Kosovës (PDK) ka vlerësuar se ka nevojë për trajtim të dispozitave të tij që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e gjykatës, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen.
Pas kërkesës së PDK-së, e cila kishte iniciuar e hartuar Ligjin, presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer atë në Kuvend për shqyrtim.
“Në arsyetimin e vendimit, presidentja ka bërë të ditur se ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftimin Presidencës së Kosovës.
Gjatë ditës së enjte, Partia Demokratike i ka kërkuar presidentes Shiroka-Pula që Ligjin t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim.
Sipas Grupit Parlamentar të PDK-së, synimi është plotësimi i disa dispozitave dhe adresimi i elementeve që mund ta pengojnë zbatimin e ligjit.
“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë, të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në kërkesën e PDK-së për presidenten.
Në komunikatë, PDK-ja është shprehur krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ka marrë, por aty është theksuar se kërkesa për rishqyrtim nuk nënkupton nisjen e procesit nga e para.
“Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet tutje në komunikatën e PDK-së.
PDK-ja ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete dhe ka thënë se pret që, ashtu siç u miratua më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda 4 javësh.
“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Ndryshe nga Grupi Parlamentar i tij deputeti, Përparim Gruda, në një postim në Facebook ka thënë se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim.
Gruda ka thënë se do të preferonte që sot të fliste për zbatim të ligjit, e jo rihapjen e debatit me të.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij. Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, ka shkruar Gruda.
Ai ka thënë se nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin u hartua ligji.
“Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj. Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim”, ka shkruar Gruda.
Ndërkohë deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të turpshëm kthimin e ligjit për rishqyrtim.
“Kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend është një turp i madh dhe goditje e rëndë për Kosovën. Të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj loje, turpi i mbuloftë për jetë”, ka shkruar ai.
Edhe para vendimit të presidentes, ai ka thënë se përbën tallje kërkesa e PDK-së.
“Po edhe loja me ligjin, pra është një ofendim tani kthimi prapa i ligjit, nuk e kuptoj këtë pse duhet të na ndodhë kjo. Pra pas gjithë atyre përpjekjeve, përplasjeve, vërtet është një ofendim i radhës kthimi i Ligjit prapa, nuk e kuptoj pra pse duhet t’ia bëjmë Kosovës, vendit, pse s’duhet të kalojmë në tema të tjera, pse duhet ende të vazhdojë kjo tallje me ne, me parlamentin, me qytetarët”, ka thënë ai.
Për kthimin e dokumentit në Kuvend ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini? Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!
LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës. Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë!”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku. Ligjvënësit e kësaj partie nuk e kanë votuar ligjin për Specialen.
Ndryshimet në Ligjin për Specialen, të propozuara nga PDK-ja, janë miratuar më 6 tetor, si pjesë e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka përfshirë edhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të vendit, me çka janë shmangur zgjedhjet e reja.