Presidentja Shiroka-Pula realizon vizitën e parë jashtë vendit

Me ftesë të homologut të saj hungarez, presidentit András Baka, presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka udhëtuar për në Budapest, ku do të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore me rastin e 70-vjetorit të revolucionit hungarez të vitit 1956.

Gjatë vizitës në Budapest, presidentja Shiroka-Pula do të zhvillojë takim bilateral me presidentin hungarez, András Baka.

Në ceremoninë përkujtimore, e cila shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne të Hungarisë dhe përpjekjen e popullit hungarez për liri e pavarësi, presidentja Shiroka-Pula do të jetë në mesin e afro 100 liderëve dhe përfaqësuesve politikë nga vende të ndryshme të botës.

Në kuadër të agjendës së presidentes Shiroka-Pula në Hungari është paraparë edhe një takim me mërgatën shqiptare që jeton dhe vepron në këtë shtet.