Atdhe Behrami, është pronar i një furre të bukës në Mitrovicë të Jugut, i cili nuk e ka ndalur punën edhe gjatë pandemisë së COVID-19, që ka përfshirë edhe Kosovën.
Ai për Radion Evropa e Lirë ka treguar se ndaj tij është iniciuar rast nga Policia e Kosovës, për shkelje të masave kundër COVID-19, të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.
Ky furrtar ka treguar shkeljet që i kishte bërë e për të cilat i është dashur të përballet me policinë.
“Për zgjatje të orarit, që jemi vonuar më shumë se që është dashur, nuk kemi mundur ta përfundojmë në kohën e paraparë dhe për numër të madh të klientëve që ka pasur. Gjithçka me arsye. Nuk mund të them që kanë ardhur vetëm për inati. Arsyeja është nuk iu kemi përmbajtur masave”, thotë ai.
Tashmë kur vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë është shpallur jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese, ai pret që shteti t’i rishikojë vendimet e mëhershme.
“Tash me këto me siguri që merret shteti se si do t’i vlerësojë këto lëndë”, thotë Atdhe Behrami.
Fatin e tij e kanë pasur edhe shumë qytetarë të tjerë të Kosovës.
Që nga data 13 mars, pas paraqitjeve të rasteve të para me koronavirus, Policia e Kosovës ka iniciuar mbi 1 mijë e 300 raste.
“Sipas procedurave të parapara ligjore, lidhur me rastet për mos zbatim të vendimit të Qeverisë/Ministrisë, deri më 13.05.2020 ka hapur 1317 raste ndaj 2325 personave të përfshirë në raste”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë së Kosovës.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Republikës së Kosovës, në asnjë rrethanë nuk mund të privojnë qoftë nga liria, qoftë të shqiptojnë gjoba qytetarëve, për vepra të cilat nuk janë të përcaktuara me ligj.
Sidomos pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli jo-kushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
“Tashmë kemi edhe një vendim të dytë të Gjykatës Kushtetuese, e cila e përcakton në mënyrë taksative se Inspektorati Sanitar respektivisht nuk mund të shqiptojë më gjoba në rastet kur qytetarët nuk i respektojnë masat lidhur me COVID-19”, thotë Miftaraj.
Sipas tij, arrestimi, ndalimi dhe shqiptimi i gjobave ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të bëhet vetëm me ligj.
“Sa i përket ndalimeve dhe hapjes së procedurave penale ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk po respektojnë masat e qeverisë, edhe këtu do të thotë nëse do të zbatohet ligji, nëse do të kemi një trajtim në bazë të ligjit, në bazë të procedurës, ndaj të gjithë këtyre qytetarëve këto raste do të mbyllen. E në ato raste kur qytetarët janë ndaluar në mënyrë të kundërligjshme, do të kenë të drejtën që të kërkojnë kompensim për arrestim të paligjshëm”, thotë Miftaraj.
Për mosrespektim të masave gjatë kohës së pandemisë autoritetet kanë shqiptuar dënime. Dënimet me gjobë për personat fizik parashihen prej 1 mijë deri në 2 mijë euro, ndërsa për personat juridik, prej 3 mijë deri në 8 mijë euro.
Këto dënime me gjobë shqiptohen nga Shërbimi i Inspektoratit Sanitar të Kosovës.
Me qëllim të mbrojtjes nga COVID-19, Qeveria e Kosovës më 23 mars kishte vendosur ndalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve.
Ky vendim ishte shpallur kundër-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që ishte bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Masa tjera të kufizimit të lëvizjes për qytetarë u vendosën nga Ministria e Shëndetësisë më 15 prill.
Më 1 maj, përsëri Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues vendimin e kësaj ministrie për ta shpallur zonë karantinë territorin e Komunës së Prizrenit.
“Gjykata vendosi me shumicë votash, që Vendimi Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenin 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së”, thuhej në njoftimin e Kushtetueses.
Vendimi i Kushtetueses, erdhi pas kërkesës së bërë nga partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës.