Shiroka Pula takohet me presidentin hungarez, kërkon mbështetje për integrimin e Kosovës në BE

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me homologun e saj hungarez, András Baka, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe sigurinë në rajon.

Gjatë takimit, Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se Hungaria ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008.

Ajo shprehu interesimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në ekonomi, arsim dhe mbrojtje.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, presidentja theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një synim strategjik i Kosovës.

Në këtë drejtim, ajo kërkoi mbështetjen e Hungarisë për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe për hapat e mëtejshëm të procesit integrues.

Shiroka Pula shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Hungarisë në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke vlerësuar rolin e tij në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.

Në përfundim të takimit, presidentja e Kosovës e ftoi homologun hungarez, András Baka, për një vizitë në Kosovë, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët.